Ipeshkvi: Të kujdesemi për më të brishtët, bindjuni rregullave
Ipeshkvi i Rrëshenit, Dom Gjergj Meta gjatë një lidhje live në “Opinion” deklaroi se tashmë është momenti që të kujdesemi për personat që mund të infektohen me koronavirus dhe jo t’i shohim ata si kërcënim.
Ipeshkvi u shpreh se këta persona kanë nevojë për kujdesje dhe jo për t’u hedhur tutje.
“Unë mendoj që me më të brishtët duhet të jemi më të kujdesshëm. Duhet të dimë që të mbartim mbi vete edhe vuajtjet e tyre dhe problemet e tyre. Duhet të qëndrojmë në distancën e duhur, por të kujdesemi që personat e prekur të shërohen. Ata nuk janë diçka që duhen hedhur tej, por duhen kujdesur”, tha Dom Gjergj Meta.
Ai bëri thirrje që të mbështeten mjekët dhe organet kompetence të shtetit. Dom Gjergj Meta, bëri thirrje që njerëzit t’i binden rregullave të qeverisë dhe të veprojnë sikur çdo gjë do të varej prej tyre.
“Çdo qytetar të veprojë sikur gjithçka të varej nga ne, të bindet me përpikmëri nga çdo rregull që del nga institucionet përkatëse. Të gjithë bashkë, për ata që besojnë t’i lutemi Zotit, të solidarizohemi. Solidarizimi varet nga zemra dhe shpirti i një njeriu, jo nga shkenca”, tha Meta. /tvklan.al