Irani do të pasurojë uraniumin në 20%
Irani synon që të pasurojë uraniumin në 20%, thotë mbikëqyrësi atomik i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Kjo do të jetë shkelja më e madhe që Irani do t’i bëjë marrëveshjes ndërkombëtare bërthamore.
Sipas marrëveshjes së vitit 2015, Irani supozohej që të mbante pasurimin e uraniumit nën 4%.
Teherani nisi të shkelte marrëveshjen pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dolën nga kjo marrëveshje ndërkombëtare me vendim të Presidentit Donald Trump, i cili vendosi sanksione ndaj Iranit.
Megjithatë, shtetet e tjera anëtare të kësaj marrëveshje, Britania, Franca, Gjermania, Rusia dhe Kina shpresojnë që ky angazhim të rikthehet.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike tha se Irani kishte informuar për planet e saj të pasurimit të uraniumit deri në 20% pastërti. Por, nuk kishte njoftuar për datën se kur do të niste.
Shkelja e marrëveshjes nga Irani nisi në vitin 2019 kur tejkaloi kufirin prej 3.67% siç ishte rënë dakord. /tvklan.al