Irfan Hysenbelliu për privatizimin e Birra Tirana – (13 Janar 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
11 shoqëri shqiptare, shpallen fituese të tenderit mbi Birrën Tirana. Kjo është vendosur pas tërheqjes së firmës Peroni, e cila ishte shpallur fituese e ankandit. Pas tërheqjes së saj, Këshilli i Ministrave miratoi shitjen e paketës së aksioneve, në masën 94%, kandidatit të radhës, që janë 11 shoqëritë shqiptare.
Agjencia Shqiptare e Privatizimit filloi procedurat e negociatave në Shtator të vitit të kaluar, për lidhjen e kontratës me firmën Peroni. Gjatë këtij procesi nga kompania fituese Peroni u kërkua përmbushja nga ana e palës shqiptare e disa detyrimeve që binin në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore. Për të gjetur një zgjidhje ligjore, Këshilli i Ministrave, shtyu për 45 ditë afatin e negocimit, e në përfundim të këtij afati nga blerësi nuk u ra dakord për nënshkrimin e kontratës së shitjes.
Në këto kushte Agjencia Kombëtare e Privatizimit duke u bazuar në ligj, negocioi me kandidatin e radhës, që janë 11 kompanitë shqiptare. Presidenti i njërës prej firmave dhe organizatori i grupimit të të gjithave bashkë Irfan Hysenbelliu thotë:
Irfan Hysenbelliu:- “11 kompanitë shqiptare janë të fushave të ndryshme dhe këto 11 kompani u bashkuan për të marrë Birrën Tirana, sepse kjo birrë, kanë punuar njerëzit tanë, prindërit tanë dhe për t’i ruajtur emrin e saj, njëkohësisht për të qenë vërtetë një birrë shqiptare, për të rritur kapacitetin e saj, si dhe për të pasur një treg më të mirë, ne paraqitëm një çmim, realisht aq sa vlente Birra Tirana, njëkohësisht edhe një plan biznesi të nivelit të lartë”./tvklan.al
Gazetare – Holta Zhiti