Irlandë/ Shqiptari përfundon në burg pasi pyet policinë për rrugën
Një 34-vjeçar nga Shqipëria është arrestuar dhe dënuar me burg në Irlandën e Veriut, pasi u ndal në një pikë kontrolli policor dhe i pyeti oficerët për rrugën që të çonte në një supermarket, në zonën aty afër.
Sipas “The Impartial Reporter”, shqiptari Lorenc Dashi u dënua me 6 muaj burg nga një Gjykatë në Fermanagh për drejtim të makinës pa patentë, përdorim mjeti të pasiguruar dhe për futjen në Irlandë të një imitimi real të një arme zjarri, pistoletë që duket si e vërtetë, por funksion me gaz. Më 3 Mars, Dashi sëbashku me dy të tjerë po udhëtonin me një “Jeep” kur u ndalën në një pikë kontrolli në zonën Enniskillen. Dashi ndaloi makinën para policëve dhe i pyeti për rrugën për në supermarketin Lidl në Lisnaskea. Policët ndjenë aromë kanabisi nga brenda makinës dhe kontrolluan mjetin, ku gjetën edhe pistoletën imitim, të fshehur në dyshemenë e makinës. Dashi mohoi të kishte dijeni mbi armën, duke argumentuar se makinën e kishte blerë para pesë ditësh. Ai po ashtu tha se i kishte takuar dy personat e tjerë që kishte në makinë në një kafene në Cavan, më herët të njëjtën ditë dhe i kishte ftuar për një shëtitje. Avokati mbrojtës Ciaran Roddy tha para gjykatës se fakti që klienti i tij i ishte afruar vetë policisë për t’i pyetur jepte një tablo tjetër të veprës, nga ajo që paraqiste akuza. Ai tha se Dashi synonte të rikthehej në Shqipëri, ku jeton edhe gruaja e familja e tij, sapo të lirohej dhe se nuk kishte rekorde kriminale të mëparshme. Dashi, i cili ndodhej në paraburgim që prej 3 Marsit, mori pjesë në seancën gjyqësore nga burgu ku ndodhej me anë të videokonferencës. Gjykatësi i distriktit Ken Nixon tha se i pandehuri tashmë kishte qëndruar në burg për një kohë ekuivalente, më të gjatë se gjashtë muajt e dënimit të tij./tvklan.al