Ish-avokati i Trump pranon se gënjeu Kongresin
Ish-avokati personal i Donald Trump, Michael Cohen, pranoi se ka gënjyer Kongresin lidhur me hetimet për përfshirjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
Përpara gjykatësit në Manhatan, Cohen u deklarua fajtor duke pranuar se ka fshehur lidhjet mes njerëzve të fushatës së Trump dhe avokatëve rusë të dyshuar për lidhje me Kremlinin. Ish-avokati i Trump kishte paraqitur një deklaratë të rreme për një projekt në fushën e pasurive të paluajtshme të organizatës Trump në Moskë.
Por presidenti Donald Trump akuzoi Michael Cohenin se po gënjen për të lehtësuar pozicionin e tij përpara drejtësisë.
“Ai është një person i dobët dhe ajo që po përpiqet të bëjë është që të përfitojë ulje të dënimit”,
tha Trump.
Ish-avokati i presidentit amerikan u shpall fajtor në muajin Gusht për shkelje të ligjeve federale, pasi u kishte dhënë para grave që pretendonin se kishin pasur histori pasioni me Donald Trumpin, mes tyre edhe ish-aktorja e filmave për të rritur Stormi Daniels.
Tv Klan