Ish-futbollisti rrëfen me nostalgji karrierën e tij (Emisioni 7 – Sezoni 1)
Autori: Pamela Jonuzi
15:20 15/02/2009Histori me zhurmues – Qyteti i Shkodrës ka qenë djepi i futbollit dhe natyrisht ekipi i Vllaznisë ka qenë një pikë referimi për futbollin shqiptar. Në emisionin “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço u fol pikërisht për futbollin e viteve 1972, kohë kur ky ekip fitoi edhe kupën e Shqipërisë, edhe kampionatin. Për të folur për futbollin e atyre viteve ishte i ftuar një nga legjendat e futbollit shqiptar, Ramazan Rragami.
“Është një kujtesë me shumë nostalgji për një trofe të marë pas 25 vitesh në qytetin e Shkodrës në finale me ekipin e Kavajës. Ajo që e bëri kuptimplotë këtë fitore ishte fakti se në Kavajë Vllazina kishte humbur 2 me 0. Interesimi i publikut shkodran për këtë ndeshje ishte si asnjëherë tjetër, stadiumi u mbush plot e përplot. Atë natë kemi fjetur në stadium dhe natën kemi provuar se si na rrinin takat e futbollit dhe nëse na përshtateshin. Gjithçka u bë për Vllazninë, ndeshja ishte shumë e fortë dhe gjatë lojës u krijuan 2 penallti. Të dyja penalltitë unë i realizova. Në atë ndeshje kam gjuajtur 7 penallti edhe të shtata janë bërë gol.
Pas rezultatit 2 me 2 duheshin gjuajtur 5 penallti. Në atë kohë penalltitë mund t’i gjuante edhe një lojtarë i vetëm dhe u vendos që t’i gjuaja të gjitha unë. Unë kam luajtur edhe me Partizanin kundër Torinos së Italisë. Ekipi i Vllaznisë ka patur edhe pasoja si ekip, siç ishte largimi i trajnerit për punë biografie, largimi i Paulin Ndojës, Frederik Çaparnikut me sebepin e pastrimit. Spastrime u bënë edhe në Elbasan e Tiranë. Më vonë unë kam vazhduar aktivitetin si trajner ku kam vijuar bashkëpunimin edhe me shokë të tjerë. Rruga në futboll nuk bëhet vetëm dhe unë jam i nderuar që me shokët e mi i kemi dhënë diçka futbollit”, tregoi Rragami.
*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv. /tvklan.al