Manafort dënohet me rreth 4 vite burg
Paul Manafort do të vuajë 3 vite e 11 muaj burg. Gjykatësit federalë në Virxhinia e shpallën ish-drejtuesin e stafit zgjedhor të Donald Trump, fajtor për 8 akuza për shmangie të taksave dhe fshehje të llogarive bankare. Prokurorët kërkuan deri 24 vite burg, çka për gjykatësit u konsiderua si “kërkesë e tepruar”.
Akuzat kanë të bëjnë me periudhën kur Manafort shërbente si lobues në Ukrainë për një periudhë 10-vjeçare deri në vitin 2014. Ai i ka fshehur administratës së taksave në Uashington mbi 60 milionë Dollarë të ardhura nga funksionet e tij përfshirë edhe atë të këshilltarit të ish-Presidentit pro-rus të Ukrainës, Viktor Janukoviç, postin e këshilltarit që ka mbajtur nga 2004 deri në 2010. Hetimet zbuluan se të ardhurat i kishte fshehur në llogari bankare “off-shore” kryesisht në Qipro.
Për mashtrimet që Manafort ka bërë me taksat hodhën dritë hetimet që po kryen prokurori special Robert Muller, i cili po heton për dyshimet se shërbimet sekrete ruse ndërhynë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016 për të ndihmuar në fitoren e Donald Trump. Ekzistojnë dyshime se Manafort ka pasur kontakte të fshehta me diplomatë të Moskës para dhe gjatë fushatës presidenciale. Megjithatë nëse dyshimet janë të vërteta, kjo do të zbulohet në raportin përfundimtar që Robert Muller do të publikojë se shpejti, në përmbyllje të hetimeve për skandalin Russiagate.
Tv Klan