ISIS humb kontrollin e dy qyteteve të rëndësishme
Të premten grupi Shteti Islamik u dëbua nga dy qytetet e fundit kryesorë që kishte nën kontroll, përgjatë kufirit siriano-irakian, pas sulmeve të forcave në të dy anët e kufirit, pranë Luginës së Eufratit.
Forcat siriane e filluan sulmin ndaj Deir Ezzor-it në shtator, pasi qyteti kishte qenë nën kopntrollin e ISIS-it për rreth tre vjet. Njësitë e ushtrisë siriane tani janë duke kërkuar nëse kanë mbetur mina dhe lëndë të tjera shpërthyese nga xhihadistët, gjatë ikjes së tyre.
Media shtetërore në Siri tha më parë se forcat e armatosura të vendit së bashku me ato aleate morën kontrollin e plotë të qytetit lindor Deir al-Zor nga grupi Shteti Islamik.
Një burim anonim i ushtrisë siriane i tha agjencisë Reuters se
“Forcat e armatosura, në bashkëpunim me forcat aleate, e çliruan plotësisht qytetin”.
Deir al-Zor nga organizata terroriste “Daesh”, akronimi në arabisht për Shtetin Islamik.
Deir al-Zor është qendër e prodhimit të naftës në Siri dhe qyteti më i rëndësishëm lindor i vendit.
Në anën irakiane të kufirit, trupat morën kontrollin e Al-Qaim-it brenda disa orëve pasi kishin marrë kontrollin e një pike kufitare pranë. Kryeministri irakian Haider Abadi i vlerësoi trupat për përpjekjet e tyre për të siguruar qytetin, në një periudhë që ai e cilësoi “kohë rekord”.
Operacioni për rimarrjen e Al-Qaim-it filloi disa ditë më parë. Koalicioni nën udhëheqjen amerikane në Irak e ka quajtur ofensivën “lufta e fundit më e madhe”, ndërsa forcat irakiane kanë rimarrë kontrollin e më tepër se 90 për qind të territorit të marrë nga ISIS në vitin 2014.
Në rajonin përreth Al-Qaim-it, sipas ushtrisë amerikane, kanë mbetur ende rreth 1,500 luftëtarë të ISIS-it./VOA