ISIS po përdor 50 mijë civilë si “mburoja njerëzore”
Luftëtarët e Shtetit Islamik u fshehën pas 50 mijë civilëve të marrë peng, për t’u mbrojtur nga sulmet e forcave irakene, teksa këta të fundit mësynë qytetin e Fallujah.
Xhihadistët përdorën mburoja njerëzore, në përpjekje për të mbajtur nën kontroll bazën e tyre, gjatë luftimeve të ashpra me koalicionin e drejtuar nga SHBA, të nisura më 22 Maj.
Rreth 70 ekstremistë u vranë, si pasojë e sulmeve ajrore gjatë ditëve të fundit në Irak dhe Siri, përfshirë Maher al – Bilawi, lideri i ISIS në Fallujah.
Koloneli Steve Warren, përfaqësues i koalicionit të drejtuar nga amerikanët tha se, terroristët po mbajnë popullatën civile peng, në mënyrë që të fshihen pas tyre. Ai konfirmoi gjithashtu vrasjen e 70 militantëve islamikë, si dhe liderit të tyre.
Fallujah, ashtu si qyteti i Mosul, është një prej bastioneve të fundit të ISIS në Irak.
Ministri iraken i Mbrotjes deklaroi së fundmi se, është bërë i mundur izolimi i qytetit, që u mor nën kontroll nga terroristët në Janar të 2014 – ës.
Sipas OKB, mbi 800 persona kanë arritur të largohen nga zonat ku po zhvillohen luftimet, por pjesa më e madhe prej tyre janë nga provincat e qytetit, ku ISIS ka humbur terren. Nga civilët që po përpiqeshin të largoheshin, 50 mijë u kapën dhe po mbahen peng nga 1700 luftëtarët e ISIS që kanë mbetur./tvklan.al