Itali, kapen 2 ton drogë me prejardhje nga Shqipëria
Itali, kapen 2 ton drogë me prejardhje nga Shqipëria
Shpërndaje
22:57 28/02/2014Policia italiane sekuestroi një tjetër sasi rekord marjuane prej 2 tonësh që vinte nga Shqipëria. Droga u kap gjatë një operacioni të gjerë të policisë italiane një ditë më parë në rajonin e Pulias. Droga u gjet e paketuar në një skaf 10 metra të gjatë, i cili sapo kishte mbërritur në brigjet italiane në zonën mes qyteteve Barleta dhe Trani. Në prangat e policisë italiane ranë 3 shtetas shqiptarë dhe 1 rumun. Të arrestuarit janë të moshave 25-30 vjeç.Mediat italiane bëjnë me dije se të arrestuarit janë pjesë e një rrjeti të gjerë trafiku të lëndëve narkotike nga Shqipëria, që kishte për destinacion tregun italian. Ndaj tyre drejtësia italiane ka nisur hetimet dhe është vënë në ndjekje që prej shtatorit të vitit të shkuar, në kuadër të operacionit e koduar me emrin “100%”. Hetimet çuan edhe zbulimin e një fabrike të përpunimit të lëndëve narkotike në Forvileze.Sipas hetuesve, të arrestuarit, që bënin punë të ndryshme si punëtorë e muratorë, kishin edhe një aktivitet të dytë në fushën e trafikut të lëndëve narkotike. Zakonisht ishin pritës të lëndëve narkotike që vinin nga përtej Adriatikut. Operacioni për arrestimin e tyre u krye natën dhe u regjistrua nga telekamerat e policisë. Por errësira bëri të pamundur arrestimin e skafistëve, të cilët mundën t’i shpëtonin policisë, duke u hedhur në det. As helikopterët e në zonë nuk arritën t’i zbulonin. Sipas të dhënave hetimore, marjuana e ardhur nga Shqipëria paguhej me rreth 1 mijë Euro për kg.Kjo nuk është hera e parë që policia italiane arrin të sekuestrojë sasi të tilla të mëdha droge nga Italia. Pak kohë më parë, krerët më të lartë të policisë italiane dhanë alarmin se kohët e fundit e kishin të pamundur të menaxhonin rastet dhe sasitë e mëdha të lëndëve narkotike nga Shqipëria.