Itali – Shqipëri, Ventura: Mendoj për sfidën. De Biasi: Në garë për vendin e tretë
Italia priti të martën Gjermaninë në “San Siro”. Miqësorja që u mbyll pa gola i shërbeu trajnerit Giampiero Ventura për të testuar edhe lojtarë të rinj. Pas sfidës ai e tha qartë që po mendon për takimin e 24 marsit me Shqipërinë.
Giampiero Ventura, trajner i Italisë:
Spanja është larg për mendimin tim, pasi është më e rëndësishme sfida e radhës që do të luajmë me Shqipërinë. Deri më tani jam i kënaqur me ecurinë e ekipit. Atë që doja të harroja janë 15 minutat e para me Maqedoninë.
I ftuar special i “Rai” ishte Gianni De Biasi që shikon përsëri si synim vendin e tretë në kualifikueset e Kupës së Botës 2018.
Gianni De Biasi, trajner i Shqipërisë:
Besoj se Italia së bashku me Spanjën, nuk duhet të kenë vështirësi për të mbërritur në dy vendet e para. Vendi i tretë vlen pak, por për ne është i rëndësishëm. Do të përpiqemi, pasi janë edhe 6 ndeshje deri në fund.
Humbja me Izraelin në shtëpi la shije të hidhur, pasi shikohej si rivali direkt i Shqipërisë./ TV KLAN