Itali, vritet autori i dyshuar i masakrës së Berlinit


Itali, vritet autori i dyshuar i masakrës së Berlinit

15:40 23/12/2016

Tuniziani Ani Amri, i dyshuar për vrasjen e 12 personave të hënën në një treg Krishtlindjesh në Berlin, raportohet të jetë vrarë të premten në Itali.

Burimet italiane të sigurisë i thanë Reutersit se Amri është vrarë gjatë shkëmbim zjarri me policinë në Milano.

Lajmi vjen pak pasi autoritetet holandeze thanë se një person i ngjashëm me të është parë në Holandë.

Agjencia italiane e lajmeve Ansa tha se personi që u vra në Milano është autori i dyshuar i masakrës së Berlinit. Sipas saj, ai u vra pasi nxori armën gjatë “një kontrolli rutinë rrugor”, përpara piazza primo Maggio, afër stacionit Sesto San Giovanni në Milano.

Amri kërkohej në të gjithë Evropën, pas sulmit me kamion në Berlin që la 12 të vdekur dhe 49 të plagosur. Shteti Islamik ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin terrorist./tvklan.al






Të ngjashme