Koronavirusi shpërthen në Itali
3 të vdekur dhe 152 të infektuar, panik në 5 rajone në veri
Italia ndodhet në alarm për shkak të përhapjes së koronvirusit. Këtë pasdite ka ndërruar jetë një grua në Kremona, e cila gjithashtu vuante edhe nga tumori. Ajo prej ditësh ndodhej e shtruar në spitalin e qytetit, në terapi intensive.
Numri i viktimave ka shkuar në 3, ndërsa në total janë infektuar 152 persona. Një prej tyre është shëruar. Italia bëhet kështu vendi me i goditur në Europë nga koronavirusi, i cili deri tani ka marrë 2 470 jetë njerëzish në mbarë botën. Numri më i madh i të infektuarve është në rajonin e Lombardisë, me 89.
26 persona janë në terapi Intensive. Të prekur janë edhe katërt rajone të tjera, Veneto, Emilja Romagna, Lazio dhe Piemonte. Qeveria vendosi pas një mbledhjeje urgjente me Emergjencat Civile mbylljen e zonave që konsiderohen si vatra të virusit, duke izoluar mbi 50 mijë persona. Janë 10 komuna, kryesisht në zonën e Lodit në Lombardi. Asnjë person nuk mund të largohet apo të hyje. Do të jetë policia, e nëse është e nevojshme, edhe ushtria, e cila do të kontrollojë hyrjet dhe daljet.
I prekuri i fundit është një 17-vjeçar, çka përben rastin e parë të shfaqjes së virusit vdekjeprurës tek të rinjtë. Shpërthimi i virusit ka paralizuar jetën në këto rajone. Universitetet dhe shkollat janë mbyllur për të paktën 1 javë. Edhe muzetë dhe dyqanet, ndërsa lëvizja e mjeteve dhe personave do të jetë e limituar.
Të gjitha manifestimet publike janë të ndaluara. Katërndeshje të Serie A, të planifikuara për t’u luajtur në Lombardi e Veneto u pezulluan. Karnavalet e famshme të Venecias nuk do të zhvillohen. Gjithashtu nuk do të lejohen të hapura pub-et dhe diskotekat pas orës 18:00.
Të gjithë emigrantët e paligjshëm që vijnë nga Afrika Veriore ose Lindja e Mesme, do të mbahen në karantinë. Për të gjithë ata që i shkelin rregullat, penalitetet shkojnë nga gjobë, deri në 3 muaj burg. Autoritetet janë vënë në kërkim të “pacientit zero”, personit që dyshohet se ka sjellë virusin në Itali. Por në disa nga rastet, hetimet nuk kanë gjetur lidhje mes të infektuarve.
Qeveria shpreson se masat drastike që ka marrë do të japin rezultate, ndërkohë që të gjithë personat e afërm me të infektuarit apo ata që kanë pasur kontakte me ta, po u nënshtrohen kontrolleve, duke vënë kështu në lëvizje një prej operacioneve më të mëdha shëndetësore në vend.
Tv Klan