Italia, ndihmë me dy helikopterë transportues


Italia, ndihmë me dy helikopterë transportues

14:52 10/01/2010

Italia i është përgjigjur kërkesës së Shqipërisë për ndihmë për të përballuar situatën emergjente të krijuar në veri të vendit nga rreshjet e fundit. Mesditën e së dielës në aeroportin e Rinasit kanë mbërritur dy helikopterë nga ana e Mbrojtjes Civile italiane sëbashku me ekuipazhin, që do të vihen menjëherë në dispozicion të Shtabit të Emergjencës.

“Këta dy helikopterë janë ndihmat e para efektive nga Italia, që mbërritën mjaft shpejt, falë Mbrojtjes Civile italiane, në përgjigje të ndihmës së kërkuar nga pala shqiptare. Gjatë ditëve në vijim do të mbërrijnë edhe ndihma të tjera nëpërmjet detit, si pompa, tenda, mbulesa dhe materiale të tjera të nevojshme për të përballuar këtë situatë të vështirë për Shqipërine, por që Italia po i përgjigjet në mënyrë të shpejtë”, tha zv. Ambasador i Italisë në Shqipëri, Francesco Deluiggi.

Helikopterët e mbërritur do të ndihmojnë në transportin e njerëzve apo materialeve në zonën e goditur nga përmbytja.

“Të dy helikopterët me një ekuipazh prej 13 personash janë gati për të operuar në terren. Do të qëndrojnë në Shqipëri gjatë të gjithë kohës së nevojshme, duke u vënë në dispozicion të Shtabit të Emergjencës”, tha Paolo Vacari nga Emergjencat Civilie italiane.

Ndihma e grupit të Emergjencës Civile italiane vjen në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve, por edhe si përgjigje e kërkesës që Shqipëria depozitoi pranë NATO-s për ndihmë në këtë situatë emergjente.

Tv Klan






Të ngjashme