Italianit i sekuestrohen 1.5 milion Euro
1.5 milionë Euro që dyshohet se do të pastroheshin në vendin tonë i janë sekuestruar një shtetasi italian në Tiranë. Një hetim i policisë dhe prokurorisë së kryeqytetit ka çuar në bllokimin e disa llogarive bankare në emër të Stefano Lorenzit. Italiani, i cili ende nuk është arrestuar, kishte krijuar një shoqëri në vendin tonë me objekt veprimtarie në fushën e tregtisë ndërkombëtare.
Ky shtetas me precedentë të ndryshëm penalë në Itali, për deklarata mashtruese dhe krime në fushën e tatimeve, ka përfituar për një periudhë të shkurtër kohore sasi të konsiderueshme në Euro nga shoqëri të huaja. Një pjesë të tyre i ka transferuar më pas në vende si Hong Kong, Kinë dhe Itali.
Ky nuk është rasti i vetëm i konstatuar kohët e fundit, pasi disa muaj më parë Prokuroria e Tiranës sekuestroi llogaritë bankare të dy shtetasve norvegjezë, të cilët dyshohet se kishin pastruar në Shqipëri një shumë prej 700 mijë Eurosh.
Tv Klan