Izolimi ka rritur dhunën në familje
Denoncimet më të shumta nga gratë në Kosovë
Një burrë është arrestuar ditë më parë nga Policia e Kosovës pasi i njëjti kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes dhe vajzave të tij.
Ky është një nga rastet e shumta të cilat raportohen në polici brenda24 orësh në Kosovë.
Por në muajin Mars, nga mesi i së cilës edhe kanë nisur masat e izolimit pas situatës me pandeminë Covid-19, janë shtuar rastet e dhunës në familje.
Në muajin Mars ka pasur të raportuara në polici 169 raste. Janë 18 raste më shumë krahasuar me muajin Shkurt të këtij viti e 45 raste më shumë krahasuar me muajin mars të vitit të kaluar.
Organizata UN Women e ka pritur me shqetësim këtë rritje të dhunës në familje në Kosovë, andaj ka nisur një fushatë, ku përmes videove sensibilizuese u kërkohet viktimave të dhunës në familje që ta raportojnë atë dhe ti sigurojnë që institucionet janë të gatshme t’i përgjigjen thirrjeve 24 orë në 24.
Madje strehimoret janë pajisur me të gjitha kushtet për nënat dhe fëmijët, viktima të dhunës në familje. Ndërsa masat e ndalim qarkullimit nuk vlejnë për viktimat e dhunës në familje.
Tv Klan