Izolohet Koreja e Veriut/ Trump përshëndet vendimin e KS për sanksione shtesë


Izolohet Koreja e Veriut/ Trump përshëndet vendimin e KS për sanksione shtesë

15:17 23/12/2017

Pas përplasjeve me Kombet e Bashkuara për çështjen e Jeruzalemit, Donald Trump përshëndet votimin unanim të Këshillit të Sigurisë në OKB, për të zgjatur sanksionet ndaj Koresë së Veriut, në përgjigje të testimit të fundit raketor të vendit komunist.

Përmes një reagimi në Twitter, Donald Trump përshëndeti votën 15-0 në Këshill duke thënë se kjo është prova se “bota kërkon paqe dhe jo vdekje”.

Rezoluta e hartuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës parashikon ndërprerjen e 90% të furnizmimit me naftën e Koresë së Veriut, duke i dhënë një goditje të fortë ekonomisë së regjimit komunist. Po ashtu, të gjitha eksportet në sektorët jetikë të ekonomisë së Penianit, si industria tekstile apo pajisjet elektrike do të bllokohen.

Kina, një nga importuesit më të mëdhenj të kësaj nafte, dhe Rusia një tjetër partner kryesor me vendin komunist, votuan gjithashtu pro sanksioneve. Ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley, tha se këto sanksione janë një mesazh i qartë për Korenë e Veriut se nuk mund të vazhdojë kështu dhe se veprime të tjera do të sjellin ndëshkime të tjera.

Testi raketor i muajit Nëntor, ishte një nga më të fuqishmit të kryer nga regjimi i Kim Jong-un. Raketa balistike mendohet se është e aftë të arrijë të gjithë territorin e SHBA-ve, ç’ka ngjalli edhe reagimin e ashpër të presidentit Trump, i cili më herët është kërcënoi se do të shkatërrojë plotësisht Korenë e Veriut.

Tv Klan






Të ngjashme