Izolohet veriu, debora arrin në 1 metër
Reshjet e dendura të dëborës si dhe ato të shiut kanë krijuar vështirësi në mbarë vendin. Situata më problematike paraqitet në zonat malore, ku dëbora ka rritur në 1 metër. Shqetësuese situata vijon të jetë në Qarkun e Kukësit ku 12 fshatra janë të izolura nga dëbora.
E njëjta problematikë paraqitet edhe në Qarkun e Shkodrës, ku rruga e Malit të Shoshit mbetet e bllokuar për shkak të trashësisë së dëborës.
Ndërkaq në Bashkinë e Shkodrës, pas prurjeve të Lumit Drin e Kir, niveli i të cilëve është rritur ndjeshëm gjatë orëve të fundit, qindra hektarë tokë gjenden nën pushtetin e ujit.
Që prej të shtunës e gjithë njësia administrative Dajç si dhe zona e Shoshit e Shalës janë pa energji elektrike.
Ndërsa në Velipojë deti ka kaluar rërën duke mbërritur deri tek shëtitorja. Një fenomen ky që pritet të zgjasë për disa ditë, ç’ka vështirëson edhe derdhjen e ujërave të lumenjve të Shkodrës në det. Aktualisht niveli i ujit ka arritur deri në 60 centimetra.
Problematike situata paraqitet edhe në zonën e Librazhdit, ku si pasojë e shirave të dendur në 13 shtëpi në lagjen e ish- NSHN-së uji ka hyrë në katet e para të banesave duke dëmtuar orenditë shtëpiake si dhe gjënë e gjallë të këtyre banorëve.
Në disa lagje mungon edhe uji I pijshëm. Në zonat malore të Librazhdit për shkak të dëborës 125 familje të fshatrave Neshtë, Rinas, Ballgjin, Stëblevë dhe Qarishtë vazhdojnë të jenë të bllokuara.
Tv Klan