Izraeli shpëton 800 “Kaska të Bardha”
Izraeli shpëtoi 800 pjesëtarë të atyre që njihen si “Kaskat të Bardha”, vullnetarë mbrojtjes civile siriane. Operacioni u krye në pikat kufitare ndërmjet shtetit hebre dhe Sirisë ndërsa vullnetarët u dërguan në territorin izraelit dhe pastaj në Jordani.
Ushtria izraelite konfirmoi operacionin e shpëtimit. “Me kërkesë të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve evropiane”, thuhet në një deklaratë.
Sipas raportimeve të medias amerikane, “Kaskat e Bardha” do të transferohen në Gjermani, Holandë, Britani të Madhe dhe Kanada, ku do të marrin statusin e refugjatit. Ato shihen si fytyra më mediatike, por ndonjëherë edhe kontradiktore e opozitës ndaj regjimit të Bashar al-Assad. Në vitet e fundit ato kanë vepruar në zonat e kontrolluara nga rebelët dhe kanë shpëtuar mijëra persona, viktima të bombardimeve.
Vazhdimisht “Kaskat e Bardha” kanë denoncuar shkeljen e të drejtave të njeriut dhe krimet e luftës nga forcat qeveritare, në veçanti përdorimin e armëve kimike. Ndërsa Damsku i akuzon se janë në shërbim të grupeve rebele dhe terroristëve të ISIS.
Tv Klan