Ja prova se avionët e vegjël ulen në terrene të vështira


Ja prova se avionët e vegjël ulen në terrene të vështira

16:03 19/04/2014 Avioni-Italian-LezheAventura e italianit Mikelino Galiani është prova më e qartë se avionët e vegjël mund të ulen në terrene të vështira, sado e pamundur të duket ajo.

18 tetor të vitit të shkuar 54 –vjeçari ngaVenecia u ul me këtë avion në ranishten e plazhit Rrjollit, të njohur si Rana e Hedhun, mes Shëngjinit dhe Velipojës.

Në atë kohë, u njoftua se ai po fluturonte nga Brindizi në drejtim të Malit të Zi dhe se ishte detyruar të bënte një ulje emergjente për shkak të një defekti në karburator.

Ishte Qendra e Kontrollit të Trafikut Ajror në Brindizi ajo që e sinjalizoi Agjencinë Nacionale të Trafikut Ajror për uljen.

Pavarësisht defektit dhe terrenit të vështirë, ai e kreu uljen pa asnjë problem dhe avioni Ultra Light nuk pësoi asnjë dëmtim.

Vetë piloti, i pyetur nga një prokuror shqiptar, rrëfeu se kur kishte konstatuar defektin gjendej mbi Tivar, në Mal të Zi dhe se ishte kthyer pas duke kaluar mbi Uqin e Velipojë për të gjetur një vend të përshtatshëm për t’u ulur.

Avioni qëndroi në plazhin e Ranës së Hedhun për 3 ditë. Autoritetet policore bënë të ditur se defekti u riparua nga disa ekspertë të Aviacionit Shqiptar. Pas kësaj, u raportua se 54 –vjeçari Mikelino Galiani e ngriti sërish avionin e tij në fluturim po nga kjo ranishte, pa patur nevojën e ndonjë piste të veçantë.





Të ngjashme