Japonia rinis gjuetinë e balenave
Menjeherë pas formalizimit të daljes nga Komisioni Ndërkombëtar mbi gjuetinë e tyre ditën e diel, më 1 Korrik, vendi aziatik e quan të hapur këtë aktivitet, të cilin e kishte pushuar në 30 vitet e fundit.
Pavarësisht se gjatë kësaj periudhe kohore Japonia s’ka pushuar kurrë vrasjen e gjigandeve të deteve, në kuadër të “kërkimit shkencor”, që ishte një mburojë për tregtimin e mishit të balenës.
Por për të frenuar gjuetinë e egër, Agjencia Kombëtare e Peshkimit ka fiksuar një kuotë vjetore, e cila nuk duhet shkelur dhe nga 1 Korriku deri në fund të vitit numri maksimal është 227.
Këtë gjë e ka konfirmuar edhe Ministri i Agrikulturës Takamori Yoshikawa, i cili ka theksuar se limiti i vendosur nuk do ndikojë në dëmtimin apo zhdukjen e species.
Sipas të dhënave zyrtare vendase, Japonia në vitin 1960 konsumonte në vit 200 mijë ton mish balene, ndërsa vitet e fundit në bazë të limiteve ndërkombëtare konsumi kombëtar prekte vetëm 5 mijë ton në vit.
Me nismën e re, Japonia ka të drejtë të peshkojë balena për arsye tregtie vetëm në ujërat e saj dhe jo në oqeanin Antarktik./klanplus