“Jemi shumë të pasur për t’u kërcënuar”
Katari vazhdon të sfidojë vendet arabe që i kanë vendosur embargo duke e izoluar.
Ministri i Financave Ali Sharif al-Emadi ka nënvizuar se vendi i tij është shumë i pasur për t’u kërcënuar dhe shantazhuar nga Arabia Saudite dhe vende si Egjipti, vend i cili është shumë keq nga ana ekonomike. Në një intervistë për “The Times” Ali Sharif al-Emadi tha se Katari kishte rezerva të jashtëzakonshme financiare nga shitja e gazit natyror në dekada dhe se mund t’u rezistonte sanksioneve të vendeve arabe. “Ne kemi fonde sovrane kombëtare prej 250 për qind të Prodhimit tonë të Brendshëm Bruto, kemi rezervat e Bankës Qendrore të Katarit dhe kemi rezervën strategjike të ministrisë së financave
”, tha ministri. Ali Sharif al-Emadi kujtoi se nota kreditore e Bahrejnit dhe Egjiptit ishin shumë të ulëta, ndërsa Arabia Saudite kishte shumë probleme buxhetore. “Ne jemi vendi me rritjen më të madhe ekonomike në rajon
”, tha ai, duke theksuar se vendi i tij po rritej 40 për qind me shumë se Emiratet e Bashkuara Arabe. Katari, shteti i pasur me vetemë 2.2 milionë banorë, refuzoi një listë me 13 kërkesa të Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahrejnit dhe Egjiptit duke u bërë të qartë se janë shumë të pasur për t’u përkulur para tyre.