Jemin Gjana deklaron fitoren e PD në zgjedhjet lokale – (1 Korrik 2000)
Lajme Arkiva – Tv Klan 2000
Alternativës së anti-Berishës, socialistëve do t’i përgjigjemi me fitore në zgjedhjet lokale, që do të thotë marrja e shpejtë e pushtetit nga Partia Demokratike. Kështu ka deklaruar sot nënkryetari demokrat Jemin Gjana, pas Kongresit të PS. Në këtë kongres kreu socialist Fatos Nano, deklaroi gjithashtu se arritjet e qeverisë së koalicionit, nuk mund të krahasohen me ato të qeverisë së PD.
Jemin Gjana, Nënkryetar i PD:- “Tre vjetët e qeverisjes së PS, kanë treguar se ata janë të dështuar. Dështimi i tyre, mungesa e programeve të tyre është alternativa jonë për t’i kundërshtuar. Ata përpiqen ta ndërtojnë strategjinë e tyre të luftës, duke bërë Berishën gogol të shqiptarëve, por në të vërtetë gogoli i shqiptarëve janë ata që kanë sot qeverisjen në Shqipëri”.
Partia Demokratike ka reaguar sot edhe ndaj zgjedhjes së Gramoz Ruçit, si sekretar i përgjithshëm i Partisë Socialiste. Sipas drejtuesve të lartë demokratë, kjo tregon se PS do të vazhdojë të komandohet nga pjesa e ekstremit të majtë brenda saj./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego