Jemin Gjana intervistë për skafet (24 Janar 1999)
Jemin Gjana, deputet i Partise Demokratike, intervistë për ligjin e skafeve.
Jemin Gjana: Përgjegjësia nuk mund të fokusohet tek një Drejtor Policie apo tek një polic. Ajo ka të bëje me platformën e qeverisjes dhe me dështimin e kësaj platforme. E vërteta është se pas zgjedhjeve të 29 Qershorit, po bëhen gati dy vjet, vendi nuk qeveriset dhe rend e qetësi në Shqipëri nuk ka. Duhet pranuar se qeverisja është vetëm në Tiranë dhe mund të bëhet fjalë vetëm për rend dhe qetësi vetëm në Tiranë, pavarësisht se dhe këtu ka pasur ngjarje. Veriu i Shqipërisë është i paqeverisur, Jugu i Shqipërisë është i paqeverisur. Nga vetë struktura e policisë ka parcelizime dhe vetë strukturat e policisë dhe skafistët i kanë lidhjet vertikale deri në politikanët e lartë të shtetit në Parlamentin Shqiptar dhe në Qeverinë Shqiptare. Mua më ka bërë përshtypje një deklaratë e Drejtorit të Policisë Koçiu, kur tha në momentet që miratohej, që përgatitej ligji, që do të veprojmë me shtet ligjor do të veprojmë sipas ligjeve duke hedhur idenë se dikur bllokimi i skafeve në Vlorë ka qënë bërë pa ligj. Këtu nuk është çeshtja se ka munguar ligji ose se mungonte ligji ose se nuk ka ligj për të bllokuar skafet. Problemi është se nuk ka vullnet politik. Kur ka pasur vullnet politik në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike në vitet 94, 95, dhe 96 në Vlorë, në molet e Vlorës kanë qënë të bllokuar 150 skafe. Por nëqoftëse dikush i merr në mbrojtje, nëqoftëse Gjinushi, Brokaj apo dikush tjetër i merr në mbrojtje pjesët, grupet e këtyre skafistëve sigurisht që nuk mund të zbatohet as ai ligj që është miratuar. Zgjidhja do të vijë vetëm kur në Shqipëri të vijë një tjetër zgjidhje politike. Shqipëria të shkojë në zgjedhje madje do thoja se me këtë ngjarje të rëndë i pari njeri që duhet të largohet nga skena politike është Ministri Koçi. Dhe Kryeparlamentari që është njëkohësisht dhe deputet i Vlorës ka po të njëjtat përgjegjësi dhe është edhe ai që duhet të largohet menjëherë nga skena politike.”-tha ai./tvklan.al