Jep dorëheqjen kancelari austriak Sebastian Kurz
Kancelari austriak Sebastian Kurz njoftoi këtë të shtunë dorëheqjen nga ky post, pas hetimeve të nisura ndaj tij për akuzën e korrupsionit.
Në një deklaratë, Kurz tha se në postin e Kancelarit kishte propozuar Ministrin e Jashtëm, Alexander Schallenberg.
Sipas asaj që shkruan Reuters, Kurz planifikon të mbetet lider i partisë konservatore dhe ta drejtojë atë në parlament.
35-vjeçari e mori drejtimin e partisë së ÖVP në Maj të 2017-s dhe e çoi drejt fitores më vonë po gjatë atij viti, duke u bërë drejtuesi më i ri në botë i një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike, në moshën 31-vjeçare.
Akuzat lidhen me periudhën mes 2016 dhe 2018-s, kur dyshohet se fondet e Ministrisë së Financave u përdorën për të manipuluar sondazhet në favor të partisë ÖVP.
Kurz dhe 9 persona të tjerë, përfshirë 3 organizata, janë nën hetim për akuzat e “thyerjes së besimit, korrupsionit dhe ryshfetit, … pjesërisht të përfshirë në nivele të ndryshme”, tha në një deklaratë të premten prokuroria austriake.
Më herët gjatë kësaj të shtune, prokurorët bënë kontrolle në zyrën e Kurz, në Ministrinë e Financave, shtëpitë dhe zyrat e ndihmësve të Kancelarit.
Kurz i quajti akuzat ndaj tij të pabazuara. Ai mohoi të ketë përdorur paratë e qeverisë për qëllime që lidhen me partinë e tij.//tvklan.al