Dorëhiqet kryeministri Conte


Dorëhiqet kryeministri Conte

10:24 26/01/2021

Synon formimin e një shumice të qëndrueshme qeverisëse

Një javë pasi i mbijetoi mocionit të votëbesimit në Senat të kërkuar prej tij, Giuseppe Conte jep dorëheqjen si kryeministër i Italisë. Vendimin e mori pasi qeveria e tij nuk ka një shumicë të qëndrueshme parlamentare, edhe pse i mbijetoi mocionit të votëbesimit, falë mungesës së senatorëve në seancën e 20 Janarit që uli numrin e votave të nevojshme dhe rrjedhjes së votave nga Forca Italia e ish-kryeministrit Berluskoni.

Synimi i Contes megjithatë nuk është largimi nga qeveria por formimi i një kabineti të ri me një shumice të qëndrueshme parlamentare. Për këtë do të ketë 48 orë kohë të bindë deputetët në të dyja dhomat, pas rimarrjes së mandatit tek presidenti Sergio Mattarella.

Mediat vendase shkruajnë se një prej mundësive është që Konte të rikthejë Matteo Renzin në koalicion duke përmbushur kërkesat që e larguan partinë e tij, ndër të cilat edhe orientimi i një pjese të mirë shpenzimeve të fondit të rimëkëmbjes të akorduar nga Bashkimi Evropian prej 750 miliardë Eurosh drejt teknologjive dixhitale dhe të gjelbra.

Dy mundësitë e tjera janë që Konte të bindë një numër të mjaftueshëm deputetësh nga parti të tjera nga i gjithë spektri politik t’i bashkohen qeverisë së tij ose vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Sondazhet i japin fitore të garantuar nacionalistëve të Mateo Salvinit dhe neofashistëve të Georgia Melonit.

Tv Klan






Të ngjashme