Jepet masa e sigurisë për Maks Cicikun (17 Janar 1999)


Jepet masa e sigurisë për Maks Cicikun (17 Janar 1999)

12:55 17/01/1999

Sot në Gjykatën e Faktit është vendosur masa e sigurisë për Maks Cicikun, pronar i një policie private “SimaPol”. Ai është arrestuar para dy ditësh me kërkesën e Shërbimit Informativ Kombëtar. Në seancën e sotme, prokurori i çeshtjes Ajaz Gjeta, kërkoi mbetjen në burg të 25-vjeçarit me afat kohor prej 10 ditësh. Këtë ai e shoqëroi me leximin e akuzave të përgatitura nga Prokuroria e Përgjithshme.

Krijim dhe pjesëmarrje në bandat e armatosura me qëllim ushtrimin e akteve terroriste. Kjo mësohet të ketë qënë akuza ndaj tij. Prokurori Gjeta gjatë leximit të akuzës përmendi dhe faktin se Ciciku ka bashkëpunuar me organizatat e huaja terroriste dhe se bashkëpunëtorë të tij janë të shumtë.

Prokurori tha se akuza ka prova që implikojnë 25 vjeçarin se ai ka survejuar Ambasadën Amerikane në Tiranë për qëllime terroriste. Për këtë akuza mbështetet në faktin se Ciciku në kohën kur studionte në një shkollë fetare në Arabinë Saudite, ka krijuar lidhje me persona dhe organizata të dyshuara si terroriste.

Gjithashtu si prova të akuzës, prokurori Gjeta përmendi disa dokumenta dhe sende implikues që i janë gjetur në shtëpi të riut fill pas arrestimit nga SHIK-u. Pas leximit të provave dhe akuzave nga Prokurori, gjyqtari Vasili la të vlefshëm kërkesën e tij duke e lënë Cicikun në arrest burgu me një afat prej 10 ditësh./tvklan.al

Gazetar : Eduart Frangaj






Të ngjashme