
“Jo Antibes, por Drimadhë” – Pushime verore në mes të Evropës
Greqia, Spanja e Italia ishin dje. Destinacioni në fakt aspak i ri i pushimeve verore sivjet është Shqipëria, më saktë Jugu i saj. Sonila Sand tregon përse.
Ndonëse në Gjermani vera si stinë le përherë për të dëshiruar, në shumë pjesë të tjera të Evropës e sidomos në Jug të saj temperaturat e këtyre ditëve kalojnë në 40 gradë celcius. Por për fat të mirë shumë vende jugore shtrihen buzë detit dhe ofrojnë gjire të fshehur pas malesh dhe të rrethuar nga ujë i gjelbër i kristaltë, i cili ndonëse i qetë dhe i shndritshëm, mbahet si nën kontroll në të dyja anët nga shkëmbinj të vegjël e shterpë, por disi kryeneçë. Të tilla pejsazhe gjenden në jug të Francës, në Sardenjë, në Korsikë dhe në jug të Shqiperisë. Madje në këtë të fundit rruga nga kryeqyteti drejt Jugut është shpesh qëllimi. Pamjet marramendëse që ofrohen pas kalimit të Qafës së Llogarasë janë pastaj shpërblimi, si një bonbon ekstra që udhëtari e shijon me shumë dëshirë e nge. 400 kilometër vijë bregdetare, vende të fshehura e qytete të mëdha, plazhe me festivale ndërkombetare elektronike si „Turtle Fest", që sapo u mbajt në Drimadhë, fshatra turistike për familjarë pranë Dhërmiut, plazhe hip për rininë më të përkedhelur nga fati se shumica e shqiptarëve ndodhen në Jalë. Dhe të gjitha këto vende janë plot me njerëz këto ditë të nxehta gushti. Grupe të rinjsh shqiptarë, "backpackers" francezë e gjermanë, familje italiane e spanjolle me fëmijë të vegjël. E gjitha një përzierje e këndshme njerëzish që kalojnë pushimet buzë detit në mes të Evropës.
