Joe Biden drejt presidencës, artisti shqiptar jehonë në mediat ndërkombëtare
Alkent Pozhegu mund t’ju duket një emër i padëgjuar, por në fakt ai është duke u përmendur nga mediat prestigjioze ndërkombëtare për shkak të punës së tij artistike.
Fituesi i disa çmimeve Guinnes së fundmi ka realizuar një mozaik me kokrra drithërash të kandidatit për President në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.
“Alkent Pozhegu teksa i jep dorën e fundit portretit të Joe Biden të bërë me drithëra”, shkruan the Guardian.
Kanë qenë edhe media të tjera si Sky News apo dhe The Telegraph që kanë postuar fotografinë e Pozhegut si një ndër më të mirat në datën 4 Nëntor.
The Guardian, jehonë punës së artistit shqiptar
Mesa duket, Pozhegu ka qenë fatsjellësi i Joe Biden, i cili deri më tani po kryeson betejën përballë Donald Trump në zgjedhjet presidenciale.
Por ky nuk është punimi i fundit i Pozhegut. Ai mund të quhet padyshim artisti i presidentëve amerikanë pasi më parë ka realizuar portretin më të madh të krijuar me drithëra të ndryshme të Presidentit Donald Trump.
Për realizimin e mozaikut të Donald Trump, ai ka punuar rreth dy vite e gjysmë. Materialet që përdori janë: Misër, oriz, fara luledielli dhe grurë. Për mozaikun u përdorën 4000 kilogramë drithëra. Përmasat janë 20×26. 560m2. Titulli i fituar për atë mozaik të realizuar ishte ‘Largest Grain Image’.
Shpeshherë Pozhegu ka qenë i ftuar në disa emisione në Tv Klan, si tek “Rudina” apo “Historia Ime” për të folur rreth punëve të tij.
Më parë, Pozhegu ka fituar Guiness për mozaikun me dy emrat e futbollistëve Cristiano Ronaldo dhe Messi. Në vitin 2017 me mozaikun e Rita Orës dhe së fundmi me mozaikun e Donald Trump.
Pozhegu ka realizuar edhe një mozaik për këngëtaren me origjinë kosovare Dua Lipa. /tvklan.al