Josa: Jo të gjithë të huajt kanë bindur
Tirana ka nevojë për lojtarë të tjerë në mbrojtje dhe sulm, por kjo varet edhe nga largimet. Trajneri Mirel Josa pranoi situatën duke thënë se jo të gjithë lojtarët e huaj kanë bindur, por klubi duhet të tregohet i kujdesshëm për të mos shtuar barrën financiare.
Mirel Josa, trajner i Tiranës:
Do të mundohemi të bëjmë maksimumin me këtë kontingjent që kemi dhe do të jetë mirë nëse do të marrim ndonjë lojtar tjetër. Nuk mund të jap garanci, pasi është problemi i futbollistëve të huaj, që jo të gjithë kanë bindur.
Dëmtimet në pjesën e parë të kampionatit detyruan si Ilir Dajën dhe Mirel Josën të përshtatnin lojtarët në role të tjerë në fushë, Tirana është e katërta me 9 pikë më pak se Kukësi kryesues, por Josa mendon se objektivat mund të vendosen vetëm me kalimin e ndeshjeve.
Mirel Josa, trajner i Tiranës:
Distancim nuk ka, pasi me një ndeshje mund të afrohemi dhe me dy mund të shtohen pretendimet.
Tirana është ende në garë edhe në Kupën e Shqipërisë ku do të përballet me Kukësin në fazën çerekfinale./ TV KLAN