Josa trajner i Shkëndijës së Tetovës?
Mirel Josa mund të jetë trajneri i ri i Shkëndijës së Tetovës. Edhe pse tekniku aktual, boshnjaku Bruno Akrapović është ende në detyrë, humbja e djeshme me Vardarin, e ka tronditur pozicionin e tij.
Burime të Tv Klan bëjnë të ditur se drejtuesit e klubit të Shkëndijës kanë nisur kontaktet me Josën dy javë më parë. Nuk është vendosur ende asgjë, por ish-trajneri i Skëndërbeut, disa herë kampion me korçarët shihet si alternativa më e mundshme për Shkëndinë që është në vendin e dytë të renditjes në kampionatin maqedonas.
Vendimi pritet të merret nga biseda që do të ketë presidenti i klubit Abdylmenaf Bexheti me pronarin e klubit, Lazim Destani, kompania e të cilit Ekolog International është edhe sponsori zyrtar.
Trajneri Bruno Akrapović, konsiderohet si përgjegjësi kryesor në humbjen me rivalin kryesor të Shkëndijës, Vardarin e Shkupit.
Më 26 Tetor, Shkëndija do të luajë ndeshjen e prapambetur me Shkupin, pritet që ky takim të jetë vendimtar për të ardhmen e teknikut që do të marrë drejtimin e ekipit.
Tv Klan