Juncker: Inkurajim Shqipërisë për reformat, Rama: Meritojmë hapjen e negociatave
Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker u prit në Tiranë me himnin zyrtar të Bashkimit Europian, në një moment që qeveria aspiron të marrë shumë shpejt rekomandimin pozitiv për hapjen e negociatave
Takimi mes dy delegacioneve u pasua nga një konferencë e përbashkët për shtyp, ku kryeministri Rama i cilësoi një arsye të fortë rezultatet e para të Reformës në Drejtësi dhe luftës kundër krimit e korrupsionit që në qershor Bashkimi Europian t’i hapë Shqiperisë dritën jeshile.
“Dua ta përsëris se besoj fort se e meritojmë rekomandimin e plotë dhe të pastër dhe besoj se vendet anëtare do t’i përgjigjen pozitivisht votimit për hapjen e negociatave, pasi i kemi bërë me përpikëri detyrat e shtëpisë. Sot që flasim ne numërojmë plot 17 prokurorë dhe gjykatës të niveleve më të larta të gjyqësorit shqiptar që janë tërhequr nga procesi i Vettingut, që faktikisht nuk do të jenë më pjesë e sistemit gjyqësor. Një tregues i qartë që Vettingu ka filluar të funksionojë si një shtysë e fuqishme drejt realizimit të objektivit të një sistemi drejtësie të ri dhe të pavarur”, tha Rama.
Presidenti i Komisionit Europian tha Shqipëria do të ketë mbështetjen e Brukselit nëse do të vijojë me këtë ritëm reformash.
“Nuk kam ardhur për t’iu bërë premtime bosh, është shumë e lehtë për kënaqësi t’ju them se në këtë datë do të fillojmë negociatat por nuk është ky qëllimi im. Vetëm mund të inkurajoj Shqipërinë të vazhdojë reformat e rëndësishme që janë ndërmarrë në luftën kundër krimit, Vettingu, organizimi i gjykatave. Ne do të jemi përkrah Shqipërisë për ta ndihmuar të përgatisë anëtarësimin.”
Por a po trajtohet Shqipëria në mënyrë të pafavorshme në strategjinë e zgjerimit të vendeve të Ballkanit perëndimor, në të cilën 2025 shihet si një datë e mundshme për anëtarësimin e Serbisë dhe Malit të Zi në Bashkimin Europian?
“Ne do të veprojmë në mënyrë të tillë që përpjekjet e çdo vendi të njihen nga BE. Pra nuk është moment të thuhet se Shqipëria do të trajtohet në mënyrë të pafavorshme. Ne duam të mbështesim fort përpjekjet e qeverisë shqiptare që janë të mëdha”, tha Juncker.
“I takon çdo vendi që të vrapojë dhe të bëjë maksimumin e tij të mundshëm për të arritur tek dera e BE-së. Në rastin më të mirë do të hyjmë bashkë me Serbinë, në rastin më të keq përpara Serbisë. Na intereson rekomandimi i plotë dhe i pastër i Komisionit Europian. Të mos harrojmë që në vendimmarrjen e vendeve anëtare nuk është vetëm raporti i komisionit por i qeverive të tyre, opinionet publike, elektoratin e tyre, pozicionet e tyre politike. Pra është një proces më kompleks. Sidoqoftë po ne po punojmë me vendet anëtare. I dimë ku janë pikat më sensitive dhe ku janë vendet që duan më shumë informacion dhe këmbëngulje dhe po e bëjmë këtë punë”, tha Rama.
Por integrimi në Bashkimin Europian për zyrtarin e lartë të Brukselit nënkupton edhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me fqinjët. Pakti detar me Greqinë është një çështje që ai thotë se dy vendet do të duhet ta zgjidhin.
“Vetëm mund të inkurajoj atë që Shqipëria kërkon tu japë fund konflikteve territoriale sepse kjo është një provë për angazhimin e Shqipërisë për tu bërë sa më shpejt anëtare e BE. Dua të inkurajoj si Shqipërinë dhe Greqinë të bien dakord dhe ky është një element plus për të pranuar hapjen e negociatave kur të vijë momenti”, tha Juncker.
Ndërsa kryeministri Rama i pyetur për qëndrimin e Presidentit Meta lidhur me autorizimin për fillimin e negociatave me Greqinë tha se kreu i shtetit nuk do të bëhet pengesë për finalizimin me sukses të këtij procesi.
“Presidenti nuk e ka refuzuar dhënien e autorizimit, por ka kërkuar me të drejtën që i jep kushtetuta dhe autoriteti i tij, disa sqarime të shkruara lidhur me kërkesën e dërguar për marrjen e autorizimit. Sqarimet e nënshkruara janë dhënë, janë në tryezën e presidentit. Kam besim dhe nuk kam arsye pse të mos kem që presidenti do bëjë detyrën. do të zgjidhet me sukses dhe do të jetë një tjetër arsye e fortë për miqtë tanë të BE që të vlerësojnë Shqipërinë si një shtet serioz.”
Klimën e mirë që shoqëroi takimin mes zotit Juncker dhe kryeminitrit Rama e prishi sikundër e pohuan të dy gjatë konferencës për shtyp vetëm moti gri.
“Keqardhje që me gjithë përpjekjen që bëmë nuk arritëm dot t’ju presim me një kohë tipikisht mesdhetare dhe shqiptare, megjithatë është një kohë për t’ju bërë të ndiheni njësoj si në Bruksel…shi, gri, mërzi.”
“Kam ardhur në Tiranë për t’i shpëtuar klimës se Brukselit, por me duket se po gjej klimën e Brukselit këtu. Por është një moment i vogël i një cikli shqiptar”, tha Juncker.
Në axhendën e takimeve Presidenti i Komisionit Europian ka parashikuar një takim ditën e hënë edhe me kreun e shtetit, Ilir Meta.
Tv Klan