Juve humb për herë të dytë në “San Siro”
Juventus pësoi humbjen e dytë në kampionat, sërish në San Siro, sërish 1-0, por nga Milani. Goli që vendosi fitoren e kuqezinjve ishte i Locatelli në minutën e 65.
Ai mori një top nga Suso, hyri në zonë dhe me një gjuajtje të fortë goditi pjesën e poshtme të traversës dhe realizoi.
Por ndeshja mund të kishte shkuar ndryshe. Në minutën e 35, Pjaniç shënoi nga goditja e dënimit por goli i anulua. Arbitri Rizoli pasi e akordoi si të vlefshëm, u thirr nga arbitri i portës, u këshillua edhe me anësorin dhe vendosi të mos e konsiderojë të vlefshëm. Sipas arbitrave, Bonucci ishte në pozicion të parregullt.
E akuzuar gjithnjë si e favorizuar nga arbritrat, Juventus, ndalet pikërisht nga vëmendja e njërit prej tyre. Në fund të takimit Donnarumma i mohoi barazimin Juves me një pritje të goditjes së Khedirës. Milan arrin në kuotën e 19 pikëve. Në ndeshjen tjetër të ditës Sampdoria fitoi derbin me Genova, me rezultatin 2-1./TV KLAN