“Ka një mesazh për ty”/ Kur ëndrrat bëhen realitet!
Në rubrikën “Ka një mesazh për ty” në “E Diela Shqiptare” moderuar nga Ardit Gjebrea, në fokus ishte një djalë 15 - vjeçar, Rexhino, i cili është shumë i apasionuar pas sportit dhe ekipi i zemrës është Tirana. Ai ëndërron që një ditë të bëhet futbollist. Mbrojtësi Gentian Muça është idhulli i tij.
Por pamundësia financiare, e ka bërë të ëmën e tij që të vijë në studion “E Diela Shqiptare”, për t’i thënë që të heqë dorë përfundimisht nga futbolli sepse ata nuk kanë mundësi financiare për të paguar për shpenzimet që kërkon angazhimi në futboll dhe t’i kushtojë më shumë rëndësi mësimeve. Këtë pasion Rexhino e ushtron edhe në shtëpi, ku në disa raste ka thyer edhe orenditë. Por një nga personat që i ka qëndruar më afër dhe ia ka zhvilluar këtë pasion është gjyshi, i cili vetëm para pak kohësh ka ndërruar jetë. Me pensionin e tij modest, i bleu një top dhe një palë atlete. Në studio, nëna e 15 - vjeçarit, Etleva nuk ishte vetëm, pasi vetë Gjebrea, kishte ftuar presidentin e ekipit të Tiranës, Refik Halili dhe legjendën e skuadrës së Tiranës, mbrojtësin Gentian Muça. Ata qëndruan deri në fund, për të parë më nga afër se cila ishte historia e Etlevës dhe djalit të saj. Etleva Kasa nga qyteti i Elbasanit, nëna e Rexhinos e pranishme në studio rrëfen për historinë e djalit të saj. Ajo në moshën 21 - vjeçare u gjend e vetme me djalin e vogël para shumë sfidash që jeta të ofron. Në moshë fare të re u detyrua të kërkonte ndarjen nga bashkëshorti, pasi ky i fundit ushtronte dhunë ndaj Etlevës, luante kumar dhe një jetesë e tillë ishte e pamundur të vazhdohej. Sakrificat për të gjetur një vend pune në Tiranë ishin të mëdha, pasi ajo nuk ishte as e shkolluar, ndaj i hyri shkollës në të njejtën kohë me të birin.“Në moshën 33 - vjeçare kam bërë klasën e nëntë, me kohë të pjesshme. Djali ishte dhjetë vjeç dhe shkonte në shkollë në klasën e katërt ndërsa unë në të nëntën.”
Etleva shkon shumë mirë me mësime, por i biri jo, sepse e ka mendjen vetëm tek futbolli.“Ai e ka pasur ëndërr që i vogël futbollin. Por dua të të tregoj një histori, ne nuk kishim të ardhura sepse unë kërkoja për punë, por më duhej shkolla e mesme që të filloja punë diku. Babai im e donte shumë djalin. Ai tashmë nuk jeton më. Djali më lutej që t’i blija atlete, top, rroba sporti dhe çdo gjë që kishte lidhje me të. Babai merr pensionin dhe më jep të gjitha lekët në dorë e më thotë që të shkoja e të blija një palë atlete të Lionel Messit për djalin. Më pas shkoj për t’ia blerë këto atlete dhe kur shkojmë në dyqan, ai i provon dhe unë i thashë që të mos i hiqte më nga këmbët. Ai mbeti i habitur pasi ato kushtonin shumë shtrenjtë dhe më thotë: “Mami po ti nuk ke lekë…” Në ato momente gëzimi ishte aq i madh për të. Më pas me lekët që tepruan i bleva edhe një top. Ishim ulur tek Parku “Rinia” dhe ai merr topin e filloi të luajë. Aty ishin edhe dy turistë italianë që filluan ta filmonin me aparat.
Është i talentuar Rexhino në futboll?"Po është shumë i talentuar në futboll. Ne u nisëm në Gjermani për azil në 2015. Afër kampit kishim një fushë futbolli, e merrnin aty të luante. Ai luan shumë bukur. Ai ka fituar dy medalje në Gjermani. Atje e pritën shumë mirë".
Po këtu?"Jo këtu jo, sepse nuk kam mundësi. Ma ka bërë kokën vetëm top: “mami top, mami më fut në stërvitje, mami më bli rrobat e skuadrës së Tiranës” .
Pse është tifoz me Tiranën?"Sepse Rexhino ka lindur në Tiranë dhe është rritur këtu".
Ka ndonjë lojtar qejf?"Po! Është Muça, lojtari i Tiranës, unë vetë nuk e njoh, por Rexhino po, atë ta pyesësh për të gjithë skuadrat, të gjithë i njeh".
Po pse nuk e çoni tek ekipi i Tiranës?"Unë kam biseduar njëherë, ai ka ndenjur atje tre muaj me 35 mijë lekë të vjetra në muaj, por tani s’kam mundësi, jam papunë. Unë kam sakrifikuar shumë për të, kemi ngelur edhe pa bukë, vetëm e vetëm që unë t’ia plotësoja dëshirat. Ai ma ka bërë kokën vetëm top dhe aksesorë që kanë lidhje me këtë sport".
Por çfarë do t’i thuash sot Rexhinos që ta heqi mendjen nga topi?Rexhino është drita e syve të mi, është gjithçka për mua, por kam ardhur sot t’i kërkoj që mësimet të mos m’i lërë mënjanë.”
Rexhino e ka pranoi mesazhin e Ardit Gjebresë për të qenë tek rubrika “Ka një mesazh për ty”. Në formë shakaje i thotë që i ke bërë vajzat për të qarë, por duket se Rexhino suksesin e tij me vajzat e ka nisur që në këtë moshë, pasi tregon hapur që kishte dy të dashura dhe puthjen e parë e ka dhënë që në moshën 13 - vjeçare. Çiltërsia e tij ka bërë që të tregojë disa gjëra më shumë për jetën e tij personale dhe marrëdhëniet që ka me të dashurën, me idenë që nga ana tjetër e murit është njëra prej tyre, ndoshta vajza brune, të cilën e kishte më të veçantë. Ardit Gjebrea më pas i thotë që vajza ka ardhur bashkë me prindërit sepse ata e kanë marrë vesh që shoqërohen bashkë.“ Bobo, na fike fare tani!
Ata kanë ardhur të të marrin në shtëpi, kollovar..."Epo në shtëpi nuk i shkoj, ashtu nuk dua unë. Nu kam qejf, pastaj ka goca të tjera sa të duash…"
Jo more… Rexhino! Shikoje pak këtë gocën, për një gjë jam i bindur që është dashuria e jetës tënde."Mami im! Po është dashuria ime!"
Edhe pse një djalë çapkën, ai nuk mund ta fshehë emocionin dhe dashurinë për nënën e tij. Etleva, i tregon se cila është arsyeja që e ka kërkuar tek “Ka një mesazh për ty”. Por duket se kërkesa e saj, që Rexhino të lërë futbollin dhe topin është e pamundur për t’u realizuar. Pasioni i tij nuk ndalet, por në një farë mënyre i premton që do t’i mbajë të dyja bashkë edhe të mësojë, por edhe të luajë futboll. Më pas moderatori Gjebrea i tregon Rexhinos që ka një tjetër surprizë për të. A të të bëj një magji?"Po, por e dua për futbollin!"
Unë do të bëj një magji tani dhe këtu të vij presidenti i ekipit të Tiranës, zoti Refik Halili! Për Rexhinon ky ishte një moment i paparashikueshëm, pasi shpërtheu në lot nga emocionet. Emocionet nuk ishin të pakta as për presidentin e ekipit të Tiranës ku u shpresh se :“Unë jam prind vetë dhe e di çfarë do të thotë të kesh një pasion të tillë. E ndoqa me shumë vëmendje dhe Rexhino do të jetë pjesë e Klubit të Akademisë së Tiranës. Ne kemi një akademi shumë të mirë, jemi duke e përsosur nga dita në ditë. Do të jetë pjesë e grupit tonë, do ta shikojnë trajnerët atje dhe uroj që, në të ardhmen të jetë pjesë e ekipit të Tiranës në grupin e parë.
Keni harrur diçka tjetër?Po unë bashkë me Gent Muçën kemi ardhur për ta ndjekur këtë histori.
Dopio emocione për Rexhinon, kur në studio ishte idhulli i tij, mbrojtësi i ekipit të Tiranës Gentian Muça. Muça i dhuroi fanellën e skuadrës së Tiranës dhe ëndrra e jetës së tij u realizua, por akoma më e lumtur në të gjithë këtë histori ishte nëna e tij Etleva./tvklan.al