Kadare për Teatrin Kombëtar: Krijuesit dhe artistët kanë gjithnjë të drejtë
Autori: Blendi Fevziu
23:05 20/11/2000Opinion-Ismail Kadare, shkrimtari shqiptar më i njohur në botë, i përkthyer në 45 gjuhë është cilësuar edhe si një prej shkrimtarëve dhe intelektualëve më të shquar evropiane të shekullit të XX. Ai krijoi një vepër me karakter universal, por që rrënjët i ka thellë në tokën shqiptare.
Edhe pse jetoi e mbijetoi duke qene shkrimtar në kohën e censurës së ashpër të realizimit socialist shqiptar, Kadare vlerësohet se iu shmang asaj filozofie në mënyrë të jashtëzakonshme me një disidence të heshtur. Në një intervistë për emisionin “Opinion” pas promovimit të dy librave “Ra ky mort e u pame” dhe “Kohe Barbare”, shkrimtari ka folur për letërsinë dhe jetën e tij.
Vepra poetike e Ismail Kadaresë shquhet për idetë e thella dhe për figuracionin e pasur e origjinal. Në fushën e prozës, Ismail Kadare ka lëvruar tregimin, novelën dhe romanin. Prozën e tij e karakterizojnë përgjithësimet e gjëra historiko-filozofike, subjekti i ngjeshur dhe mendimi i thellë i shprehur shpesh me anë të parabolës, mbi bazën e asociacionit apo të analogjive historike.
Gjatë emisionit shkrimtari foli edhe për gjendjen e letërsisë shqiptare. Ai tha se ka lexuar shkrimë të dy prej revistave shqiptare dhe referuar atyre mendon s epo përgatitet një klasë shkrimtarësh shumë e mirë.
“Nuk mendoj aspak se gjendja e letërsisë shqiptare është e mjerueshme. Në një intervistë unë kam lavdëruar një revistë të të rinjve shqiptarë. Këtu po përgatitet një klasë shkrimtarësh shumë e mirë, shkrimtarë, kritikë, eseistë. Revistat janë shumë të rëndësishme në një vend ku ka tronditje morale dhe kulturore, janë dy revista “Aleph”, e cila është kryesisht e të rinjve dhe revista “Më shumë dritë” të dyja luajnë rol nxitës”, tha shkrimtari.
I pyetur lidhur me kontradiktat që kanë nisur për Teatrin e Operas dhe Baletit dhe Teatrin Kombëtar, Kadare u shpreh se krijuesit dhe artistët kanë gjithnjë të drejtë dhe se duhen gjetur zgjidhje për të shmangur konfliktet.
Blendi Fevziu: A jeni në dijeni të kontradiktave që kanë nisur për Teatrin e Operas dhe Baletit, në Teatrin Kombëtar dhe në fushat e kulturës që nuk janë shumë larg jush?
Ismail Kadare: Kam dëgjuar në lajme, nuk e kam kuptuar mirë disa herë. Unë jam krijues dhe jam gjithnjë në anën e krijuesve që kërkojnë të mbrojnë artin. Mendoj se nuk ka përse të lindin konflikte, duhet gjetur një zgjidhje. Unë grevë urie në një opera nuk kisha dëgjuar ndonjëherë. Duhet bërë diçka që gjërat të zgjidhen. Krijuesit dhe artistët kanë gjithmonë të drejtë edhe kur nuk kanë të drejtë nëse analizon pikë për pikë kërkesat e tyre. Përgjithësisht janë ata që kanë të drejtë dhe s’mund të kenë kurrë administratat. /tvklan.al
I ftuar shkrimtari Ismail Kadare