Kadri Veseli në Kroaci: E ardhmja e Kosovës drejt BE-së dhe miqësisë me SHBA


Kadri Veseli në Kroaci: E ardhmja e Kosovës drejt BE-së dhe miqësisë me SHBA

18:03 08/02/2018

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka marrë pjesë në pritjen e Ambasadës së Kosovës në Zagreb, në shënimin e 10-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

I pranishëm në këtë pritje ishte edhe kryetari i Zagrebit, Milan Bandiç dhe shumë personalitete tjera të shtetit kroat dhe trupi diplomatik i akredituar në Kroaci.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, Veseli tha se Kosova është shtet krenar me të kaluarën dhe i përkushtuar në rrugëtimin për të ardhmen, drejt BE-së dhe kultivimit të miqësisë me SHBA-në.

Veseli falenderoi të gjithë ata që kontribuuan në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, përfshirë personalitete të njohura kroate, por edhe të gjitha vendet e botës që ndihmuan në krijimin e shtetit të Kosovës.

“Kanë ndihmuar një mik të mirë dhe partner të sigurt. Kosova do të jetë gjithherë përkrah tyre, në proceset demokratike, në ruajtjen e paqes dhe stabilitet, në kultivimin e fqinjësisë të mirë”.

Bashkatdhetarëve në Kroaci, Veseli u tha se ata duhet të jenë krenarë për kombin dhe shtetin të cilit i takojnë, por njëkohësisht të punojnë edhe më denjësisht për të ardhmen.

“Jemi krenarë me ju për atë çfarë bëni në Kroaci, por njëkohësisht ju bëj thirrje të mos e harroni vendin dhe shtëpinë tuaj, e ajo është Republika e Kosovës”.

/klankosova






Të ngjashme