Kamerat e Bashkisë regjistruan lëvizjen e pajisjes së përgjimit


Kamerat e Bashkisë regjistruan lëvizjen e pajisjes së përgjimit

14:45 09/06/2016

Lëvizja e makinës ku gjendej pajisja e përgjimit nga ambientet e Forcës Operacionale, prej specialistit Entiol Xhelilaj është filmuar nga disa kamera të sigurisë.

Prokuroria ka shënuar në dosjen e saj se mjeti u lëviz në orën 12:10 të datës 13 Maj, 10 minuta pasi dy oficerë të Policisë Gjyqësore kishin shkuar për ta sekuestruar pajisjen që gjendej e instaluar në të.

Lëvizja nuk është regjistruar nga kamerat e sigurisë së Forces Operacionale, por nga disa kamera të Bashkisë së Tiranës.

Prokurorët kishin kërkuar sekuestrimin e filmimeve të kamerave të Forcës Operacinale, por u është thënë se kamerat nuk punonin atë ditë, për shkak të një defekti.

Për këtë, Prokuroria i ka kërkuar Bashkisë së Tiranës t’i verë në dispozicion filmimet e disa kamerave që janë në pronësi të saj.

Bashkia ka qënë e gatshme për të bashkëpunuar dhe me anë të këtyre filmimeve është faktuar se pajisja ka dalë në orën 12:10 të 13 Majit, si dhe ka hyrë dhe ka dalë disa herë përpara kësaj date, në këtë repart që ndodhet në zonën e 21 Dhjetorit.

Nga pamjet filmike është parë se mjeti ku ndodhej pajisja është drejtuar nga oficeri Entiol Xhelilaj, që gjendet në arrest shtëpie.

Të premten, Xhelilaj dhe shefi i Forcës Operacionale, Artion Duka do të dalin përpara Gjykatës së Tiranës për verifikimin e masës së sigurisë.

Për këtë arsye, Prokuroria ka sekuestruar serverin ku ruhet filmimet, se çfarë ndodh në Drejtorinë e Forcave Operacionale, pas dyshimeve se aty mund të jenë fshirë pamjet. Serveri është dërguar për ekzaminim në Policinë Shkencore.

Prokuroria ka verifikuar dhe hyrje – daljet e oficerëve italianë që e sollën pajisjen në Shqipëri. Në sistemin TIMS ka rezultuar se ata kanë qenë në Itali më datën 13, kur pajisja ka lëvizur nga Forca Operacionale.

Tv Klan






Të ngjashme