Kamëz, aksioni për mbledhjen e armëve – (7 Gusht 1999)


Kamëz, aksioni për mbledhjen e armëve – (7 Gusht 1999)

22:49 07/08/1999

Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Policia e Tiranës dhe e komisariatit nr.4 i rikthehet aksionit për grumbullimin e armëve. Vetëm në pak orë pasi banorëve të Bathorës dhe Kamzës ju bë thirrje të dorëzojnë armët, pas të dhënave të sigurta u arrit të dorëzoheshin dhjetë kallashnikov, 19 pushkë, një numër granatash dhe 6 mijë fishekë.

Gjithçka është iniciuar nga uniformat blu, këto ditë kur ata kanë kaluar në gadishmërinë nr.2 për shkak të ngjarjeve në Tropojë dhe të deklaratave të Ministrit Poçi për rikthim të rrëmujave si ajo e 14 Shtatorit. Për këtë operacion të suksesshëm shefi i komisariatit nr.4 të Policisë së Tiranës, Muhamet Dyrmishi shprehet:

Muhamet Dyrmishi:- “Vetë këto pamje tregojnë për një operacion të sukseshëm të policisë së Kamzës, në bashkëpunim me komisariatin nr.4. Ky nuk është një operacion spontan por është një operacion i organizuar në bazë të një plani të mëparshëm. Qëllimi është që të grumbullojmë sa më shumë armë të cilat jo vetëm që janë problem për shqetësimet që krijojnë në zonë duke krijuar një situatë terrori për zonën e Kamzës, por edhe të kthejmë sigurinë tek njërëzit në këtë zonë. Aksioni u bë në mënyrë perfekte pa asnjë lloj incidenti”.

Sipas burimeve nga Ministria e Rendit mësohet se aksione të tilla do të zhvillohen dhe në zona të nxehta të kryeqytetit. Të gjitha këto me një synim të vetëm, të ulet në maksimum mundësia e veprimeve të dhunshme dhe parandalimi i 14 Shtatorëve të rinj./tvklan.al

Gazetar – Ardian Faja






Të ngjashme