Kanalet kulluese derdhin mbetje në det
Rrezikohen zonat turistike në Qerret
“Kanalet kulluese në Qerret të Kavajës janë kthyer në një problem për ndotjen, pasi në të hidhen mbetje që rrjedha e ujit i çon më pas në det”.
Kanë mbetur fare pak metra që këto mbetje urbane përgjatë këtij kanali kullues të përfundojnë në Adriatik.
Situata përsëritet çdo vit. Ujërat e këtyre kanaleve përshkojnë kilometra të tëra duke marrë me vete mbetjet urbane dhe natyrore.
Në Bordin e Kullimit janë në dijeni të kësaj problematike, por përgjegjës bëjnë banorët e zonës që i përdorin kanalet kulluese si vend-depozitime të mbeturinave të ndryshme.
“Ne kemi nisur me pastrimin. Të gjitha mbetjet nga punimet që bëjnë nëpër shtëpi, pastrimet nëpër oborret e vilave i hedhin në mes të rrugës ose nëpër kanalet dhe ikin duke mos na sinjalizuar”, thotë Ledio Hysa, drejtori i Shërbimeve Publike në Bashkinë e Kavajës.
Bordi i Kullimit premton për një zgjidhje të shpejtë e të qëndrueshme.
“Të gjitha komplekset do të kenë koshat dhe për çdo problem do të marrin dikë nga bashkia ose nga firma e pastrimit, pra do të lihen numrat e kontaktit në dispozicion për çdo problematikë që do të kenë”.
Por për ta parandaluar ndotjen nuk ka asnjë masë. Asnjë nga personat që hedhin këtu mbetje e inerte nuk është kapur për t’u proceduar sipas ligjit.
Për këtë arsye, ndotja ka gjasë të rikthehet edhe pas pastrimit nga bordi i kullimit e të prekë edhe këtë hapësirë bregdetare që thith mijëra turistë çdo vit.
Tv Klan