Kandidatë të rinj në tavolinën e Dukës
Kur pritej që Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit të përcaktonte trajnerin e ri të kombëtares, duket se vendimi do të shtyhet edhe për disa ditë. Armand Duka e kishte ngushtuar rrethin e kandidatëve në 3 trajnerë, por në tavolinën e tij janë paraqitur edhe dy kandidatura të tjera.
Bisedimet kanë avancuar me Clarence Seedorf, Cristian Panuccin dhe Luigi De Canio, trainer i Udinese në 2016. Të tre këta kandidatë janë takuar ose kanë biseduar me Presidentin e Federatës, Duka. Kanë shprehur deri diku konsensusin e tyre, sigurisht në pritje të negociatave për termat e kontratës, dhe tashmë janë në pritje të vendimit të Presidentit Duka. Por Tv Klan ka mësuar se kreu i FSHF nuk do të marrë një vendim pa takuar edhe dy kandidaturat e tjera. Alberto Malesani është një prej tyre. 63-vjeçarin shqiptarët e njohin si trajner i shumë skuadrave italiane të serie A.
Vitet e fundit ka drejtuar, Sienan, Bolognan, Genoan, Palermon dhe Sassuolon deri në 2014. Parapëlqen të bëjë lojë ofensive. Kandidati tjetër që do të takohet me presidentin Duka është 61-vjeçari Giuseppe Pillon. Karriera e tij si trajner ka nisur herët në Itali. Që prej 1992 Bepi Pilon siç e thërrasin ka drejtuar 21 skuadra në kategoritë inferiore të kampionatit italian. Burime për TV Klan pranojnë se vendimi i Dukës do të vijë pasi të ketë takuar edhe këta dy kandidatë. Kushti i numrit një të Federatës për të gjithë trajnerët është të paktën të arrijnë standardin e vendosur nga Gianni De Biasi, kualifikimi në finalet e Europianit të ardhshëm.
TV KLAN