Kanosën efektivët, arrestohen 3 persona në Kukës
Policia e Kukësit ka arrestuar 3 persona, pasi këta të fundit kanë kundërshtuar efektivët dhe i kanë kanosur ata për shkak të detyrës. Në një njoftim për mediat, autoritetet njoftojnë se “në zbatim të planit të masave për goditjen e paligjshmërisë, goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike, dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm dhe kontrabandës, strukturat e DVP Kukës kanë ushtruar kontrolle me pika të lëvizshme kontrolli në të gjitha akset rrugore të qarkut Kukës”.
Efektivët ishin duke kontrolluar në aksin rrugor Krumë-Letaj, dhe i kanë kërkuar një kamioni që të ndalonte, pasi ishte mbushur me krom. “Punonjësit e Policisë i kanë kërkuar drejtuesit të mjetit shtetasit A. D., dokumentacionin e mjetit dhe të ngarkesës, por shtetasi A. D. i ka kundërshtuar punonjësit e Policisë dhe nuk ka dhënë asnjë dokument. Në këto kushte punonjësit e Policisë e kanë shoqëruar, për t’i bllokuar mjetin në ambientet e Komisariatit të Policisë Has”, shtohet më tej.
Por teksa A.D. po shoqërohej në polici familjarët e tij, “konkretisht vëllezërit B. D., D. D. dhe kushëriri i tij B. D., janë konfliktuar dhe kanë kanosur punonjësit e Policisë, me qëllim që të mos bllokonin kamionin”. Me ardhjen e forcave të tjera të Policisë në ndihmë është bërë shoqërimi i 4 personave në ambientet e Policisë për hetime të mëtejshme./tvklan.al