Kapen 16 kg kanabis në kufi me Greqinë, trafikantët ia mbathin
Dy çanta me rreth 16 kg kanabis janë kapur të martën në kufirin e gjelbër mes Shqipërisë dhe Greqisë, teksa trafikantët arritën t’ia mbathin të ndihmuar edhe nga terreni i thyer.
Sipas policisë, dy personat me çanta u panë në shtratin e lumit DRINO, në drejtim të postës së vjetër Kakavije, në vendin e quajtur “Shelgu”. Shërbimet e Policisë Kufitare janë vënë në ndjekje të këtyre personave dhe u është bërë thirrje për të ndaluar.
Dy personat ende të paidentifikuar, duke përfituar nga terreni i thyer dhe i pyllëzuar kanë mundur të largohen duke braktisur dy çantat me 16 kg kanabis.
Autoritetet vazhdojnë punën për identifikimin dhe kapjen e dy trafikantëve. /tvklan.al