Kapen 400 kg marijuanë e ardhur nga Shqipëria


Kapen 400 kg marijuanë e ardhur nga Shqipëria

19:05 17/08/2016

Guardia di Finanza italiane ka sekuestruar në ujërat e Adriatikut 400 kg marijuanë, e ardhur nga Shqipëria. Gjatë një operacioni policor në orët e para të ditës së mërkurë, roja bregdetare e Barit u vu në ndjekje të gomones që po transportonte drogën, duke arritur ta neutralizojë pranë kanalit të Otrantos.

Në pranga ranë dy skafistët italianë, Antonio Zecca 51 vjeç dhe Antonio Lococciolo 66 vjeç, të dy me origjinë nga Brindisi, dhe të njohur si persona me precedentë penalë.

Ngarkesa e konsiderueshme prej 4 kuintalë marijuanë ishte ndarë në 23 koli të mëdha dhe ishte mbështjellë me material të posaçëm.

Mediat italiane shkruajnë se roja bregdetare pikasi gomonen që po i drejtohej brigjeve të Puljas me drita të fikura dhe me një shpejtësi të ulët. Menjëherë pasi kuptuan se kishin rënë në gjurmët e policisë, skafistët hodhën një pjesë të madhe të drogës në det, për të lehtësuar mjetin lundrues, por nuk arritën t’u shpëtonin prangave.

Nëse do të hidhej në treg, droga do t’i sillte trafikantëve fitime që i kalonin 4 milionë eurot. Prokuroria e Barit vijon hetimet për zbardhjen e rrjetit të narkotrafikut dhe identifikimin e furnizuesve të lëndës narkotike, që sipas të gjitha gjasave janë shqiptarë.

Tv Klan






Të ngjashme