Kapet i arratisuri nga komisariati i Pukës
Policia ka mundur të arrestojë 20-vjeçarin Ermirjon Nikaj që u arratis nga komisariati i Pukës një javë më parë.
Nikaj u kap rrugës për në Koman duke ecur në këmbë. Në momentin e arrestimit, Nikaj nuk bëri rezistencë, ndërsa autoritetet vazhdojnë hetimet për të mësuar nëse i riu është ndihmuar nga ndonjë i afërm apo persona të tjerë gjatë këtyre ditëve që ka qenë në arrati.
Më datë 9 shtator, 20-vjeçari u arratis nga komisariati i policisë së Pukës në momentin kur po bëhej gati për t’u transferuar në dhomat e paraburgimit të komisariatit të Shkodrës.
Në lidhje me këtë ngjarje, SHÇBA arrestoi punonjësit e policisë, Inspektor Pajtim Bushi dhe Inspektor Dode Preka, me detyrë trupë shërbimi në komisariatin e Pukës. Ata akuzohen se nuk kanë zbatuar detyrat funksionale të përcaktuara për sigurimin e personave të shoqëruar dhe ambjenteve ku ata qendrojnë.
Ermirjon Nikaj ishte arrestuar pasi dyshohet se grabiti me dhunë një emigrant më datë 24 gusht në Gomsiqe.
/tvklan.al