Kapet maniaku shqiptar, përdhunonte adoleshentet


Kapet maniaku shqiptar, përdhunonte adoleshentet

18:04 09/06/2017

Një profil fals në Facebook, një foto të një djali të pashëm dhe aftësi për të joshur. Kaq mjaftoi për të futur në kurth vajzat e vogla. Kjo është historia e një 40 – vjeçari shqiptar, pa dokumente, i cili ka përfunduar në burg në Monza të Italisë. Ai akuzohet se ka përdhunuar të paktën 3 vajza. 40 – vjeçari ishte arrestuar edhe më parë për dhunë seksuale ndaj një vajze në Solaro.

Sipas mediave italiane, ai përdorte rrjetet sociale për të afruar viktimat, i joshte që t’i dërgonin foto intime dhe më pas i kërcënonte, duke i detyruar të kryenin marrëdhënie seksuale, në mënyrë që të mos i publikonte fotot.

Emri që përdorte në Facebook ishte Emanuele dhe ndryshonte foton e profilit nëse zbulohej. Ishte zbuluar dhe arrestuar në Mars të 2016 -ës për dhunë dhe materiale pedopornografike. Tashmë, hetimet e gjykatës së Monza-s dhe Milanos kanë arritur të identifikojnë edhe 3 raste të tjera. Një vajzë 17 – vjeçare, e cila jetonte në Napoli, është detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale të paktën 3 herë. Një tjetër vajzë në Cesano është përdhunuar dy herë, në kohën kur ishte ende minorene. Dhe në fund, një vajzë 21 – vjeçare në Milano, e detyruar gjithashtu që të kryente marrëdhënie seksuale me forcë.

Shqiptari i kërcënonte, i torturonte psikologjikisht dhe në pak kohë i fuste në grackë. Përballë kërcënimit të publikimit të fotove nudo, adoleshentet detyroheshin të bënin siç donte 40 – vjeçari. Mediat italiane shkruajnë më tej se takimet kishin ndodhur në shtëpitë e tyre, përveç një rasti. Në kompjuterin e shqiptarit u gjetën më qindra foto vajzash nudo, e shumë imazhe të viktimave të tij. Gjithçka u zbulua falë një prej vajzave, e cila e tmerruar nga çfarë i kishte ndodhur, ia rrëfeu gjithçka nënës së saj./tvklan.al






Të ngjashme