Kapja e 30 kg heroine, Çako falenderon punonjësit e policisë
Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, i shoqëruar nga Zëvendës Drejtori i Policisë Rebani Jaupi dhe Drejtori i Përgjithshëm për Kufirin Genc Merepeza inspektuan mbrëmjen e së premtes punën e policisë në Portin e Durrësit
Çako është pritur në Port nga Drejtori i Policisë Kufitare Durrës Boke Bodini dhe Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë së Qarkut Perlat Çullhaj. Gjithashtu në Port ishte i pranishëm Koloneli i GdF i Nuklit Detar, Luca De Paolis. Çako ka falenderuar punonjësit e Policisë Kufitare dhe të Antidrogës si dhe punonjësit e Kompanisë konçensionare amerikane S2 Albania të Skanimit për bashkëpunimin mjaft të mirë në drejtim të evidentimit dhe goditjes së trafikut të lëndëve narkotike. Gjithashtu ai inkurajoi punonjësit e policisë duke u ofruar mbështetjen e tij dhe të Ministrit të Punëve të Brendshme për të luftuar pa kompromis trafiqet e paligjshme e në veçanti trafikun e lëndëve narkotike. “Kapja e 30 kg Heroinë është një sukses i padiskutueshëm i Policisë së Shtetit, por dhe rezultatet e deritanishme në Port janë një tregues i qartë i vendosmërisë dhe seriozitetit të Policisë së Shtetit në këtë drejtim” tha ai. Ndër të tjera Çako ka theksuar se po sot është finalizuar një tjetër operacion ndërkombëtar në bashkëpunim me GdF Italiane. Operacionet e përbashkëta kanë dhënë rezultatet e dëshiruara ku është rritur besimi i Policisë së Shtetit tek partnerët./tvklan.al