
Kapja e bandës italo-shqiptare të kokainës, policia jep detaje
Policia Shqiptare ka dhënë informacion për operacionin e përbashkët mes autoriteteve italiane dhe atyre shqiptare, ku u godit një grup me veprimtari kriminale në fushën e trafikimit të narkotikëve në vendet e BE dhe pastrimit të parave.
Kështu, në një njoftim për mediat thuhet se
“operacioni i koduar “Affari di Famiglia”, u organizua dhe finalizua falë bashkëpunimit mes strukturave të hetimit të narkotikëve të dy policive, italiane dhe shqiptare, në veçanti me grupin operativ të Guardia di Finanza të Romës”.
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, Policia e Shtetit në bashkëpunim dhe koordinim me forcat policore italiane të shërbimit Antidrogë kanë ekzekutuar njëkohësisht në Itali dhe Shqipëri urdhër arrestet ndërkombëtare të lëshuara nga Prokuroria e Romës në kuadër të operacionit “Affari di famiglia”, për veprat penale të “Trafikimit të narkotikëve” dhe “Pastrimit të parave”.
Në vendin tonë u arrestuan Edmir Hatija, 41 vjeç dhe Elidon Shpërdheja, 38 vjeç, të dy banues në Fier. Ndërkohë në Itali u arrestuan 5 anëtarë të tjerë të bandës, 3 italianë dhe 2 shqiptarë.
“Grupi kriminal ishte i përfshirë në shpërndarjen e lëndëve narkotike në zonën e Romës. Droga e llojit kokainë vinte nga Holanda dhe Belgjika. Po vijon puna në bashkëpunim me shërbimin ndërkombëtar të dy organizatave policore dhe policive kriminale për shkatërrimin e grupit kriminal dhe sekuestrimin e aseteve”
, sqaron më tej policia.
/tvklan.al