Karantinë 7 ditore për këdo që hyn në Greqi


Karantinë 7 ditore për këdo që hyn në Greqi

12:42 16/08/2020

Nga e hëna duhet edhe testi negativ i Covid

7 ditë karantinë e detyrueshme për të gjithë ata që do të kalojnë në tokën greke, e ndërsa nga e hëna do të duhet edhe testi i Covid-19 si dokument për të kaluar në kufi.

Regjimi i ri i lëvizjes drejt Greqisë i cili ka hyrë në fuqi këtë të diel është bërë publik nga  Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme. E hëna do të sjellë edhe kufizim të numrit të personave që do të kalojnë në Greqi.

Nga Pika Kufitare e Kakavijës do të kalojnë vetëm 750 persona në ditë, ndërsa nga ajo e Kapshticës vetëm 300 persona në ditë, në fashën orare 06:00 deri në orën 22:00, konform rregullave të vendosura nga pala greke, si pasojë e situatës së krijuar nga COVID-19.

Të gjithë qytetarët me shtetësi greke, personat që kanë leje qëndrimi në Greqi, personat me kartë minoritari, personat që kanë vendbanimin e tyre kryesor në Greqi, nga dita e hënë, duhet të paraqesin në kufi edhe testin negativ të COVID-19, i cili duhet të jetë kryer deri 72 orë para mbërritjes në pikën e kalimit kufitar, nga laboratorët publike apo private të certifikuara në Shqipëri. Ky rregull nuk vlen për shoferët e kamionëve që transportojnë mallra dhe fëmijët nën 10 vjeç.

Gjithashtu ata duhet të paraqesin në pikën kufitare edhe vërtetimin diagnozë të përkthyer në anglisht, në të cilin duhet të jenë të shënuara emri, mbiemri dhe numri i pasaportës/numri i kartës së identitetit të individit.

Tv Klan






Të ngjashme