Skënderbeu rimerr titullin e sezonit 2015-2016
Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë të Zvicrës i riktheu Skënderbeut titullin kampion të sezonit 2015 – 2016 të hequr nga Komisioni i Etikës në FSHF. Që në pikën e parë të vendimit të CAS thuhet se kjo gjykatë ka pranuar kërkesën e klubit korçar. Vendimi i datës 23 Qershor 2017 i Federatës që i hiqte Skënderbeut titullin është pushuar nga CAS-i.
Lajmi është konfirmuar nga klubi edhe nëpërmjet një njoftimi në faqen zyrtare.
Argumentet e paraqitura nga Skënderbeu dhe strategjia mbrojtëse e avokatëve në KAS kanë rezultuar efikase, me panelin e gjyqtarëve që ka hedhur poshtë vendimin e Komisionit të Etikës në FSHF. Ky vendim u mor pas sinjalizimeve nga agjenci ndërkombëtare të monitorimit të basteve për dyshime për trukim të ndeshjeve nga ana e Skënderbeut.
Për këtë arsye CAS vendosi që edhe shpenzimet e gjykatës të paguhen nga FSHF.
Kjo fitore ka shtuar optimizmin tek drejtuesit e klubit për arritjen e një suksesi edhe në çështjen e pezullimit 10-vjeçar të Skënderbeut nga kompeticionet europiane.
Edhe këtë vendim te UEFA-s, Skënderbeu po përgatitet ta dërgoje në Gjykatën Sportive, në Lozanë.
Tv Klan