Katalonja zotohet të shpallë pavarësinë, por merr kohë


Katalonja zotohet të shpallë pavarësinë, por merr kohë

18:31 10/10/2017

Përballë trysnisë së fortë të qeverisë spanjolle dhe Bashkimit Europian që shtynin për tërheqje nga shpallja e pavarësisë, presidenti i rajonit të Katalunjës, Carles Puigdemont u zotua për shpallje të pavarësisë, por mori më shumë kohë.

“Në këtë moment historik, si president i Katalunjës, dëshiroj të ndjek vullnetin e popullit që Katalunja të bëhet një shtet i pavarur, në formë republike. Por në shenjë përgjegjshmërie, propozoj që parlamenti të pezullojë deklaratën e pavarësisë për disa javë sepse ne dëshirojmë dialog të arsyeshëm me shtetin spanjoll”.

Presidenti katalanas nënvizoi se Katalonja është kthyer tashmë në një çështje europiane duke iu referuar thirrjeve të Brukselit për kthim pas. Puidgemont sqaroi se ai nuk është puçist e i çmendur. Pavarësinë e Katalunjës e kundërshtoi opozita. Kryetarja e “Ciudadanos”, Ines Arrimadas, e quajti presidentin Puigdemont një nacionalist përçarës dhe fjalimin e tij një deklaratë grushti shteti.

Ines Arrimadas:

“Kjo ishte kronika e një grushti shteti të paralajmëruar ndaj demokracisë, ndaj Spanjës dhe ndaj BE. Ju zoti Puxhdemon jeni padyshim përfaqësuesi i nacionalizmit më të keq në Europë. Nuk dëshiroj qe familja ime të vijë të më vizitojë me pasaportë”.

Menjëherë pas fjalimit të presidentit katalanas, reagoi Madridi zyrtar. Qeveria spanjolle e cilëson deklaratën e Puidgemont një deklaratë shkëputjeje dhe po përgatit kundërpërgjigjen. “Një deklaratë pavarësie me frenat ngritur”, kështu e ka quajtur ambasadori spanjoll në Francë, fjalimin e Puigdemont. Seanca në parlamentin katalanas u ndoq nga mijëra njerëz në shesh. Protesta të shumta u zhvilluan në Barcelonë të shoqëruara me thirrje për pavarësi.

 Tv Klan






Të ngjashme